Secondary Adv

Rezerva valutore pranë 8 miliardë eurove, arrin rekord të ri historik

Rezerva valutore arriti në 7.9 miliardë euro, me rritje 17.2% në një vit, e mbështetur nga blerjet e valutës.

Rezerva valutore e Shqipërisë ka arritur një rekord të ri historik në mesin e këtij viti, duke iu afruar kufirit të 8 miliardë eurove. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës arriti në rreth 7.9 miliardë euro, në rritje me 7.9% që nga fillimi i vitit 2026 dhe me 17.2% me bazë vjetore.


Rritja e vazhdueshme e rezervës valutore po mbështetet nga blerjet e konsiderueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për tre muajt e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë bleu rreth 140 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë për këtë periudhë të vitit dhe 320% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Euro prek një tjetër minimum historik ndaj lekut

Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut po vijon rënien dhe ka prekur një rekord të ri historik pranë nivelit të 92.5 lekëve, me një rënie vjetore prej afërsisht 5%.


Këtë vit, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330–450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi është rritur ndjeshëm krahasuar me intervalin prej 270–350 milionë eurosh të parashikuar për vitin 2025. Megjithatë, blerjet totale të valutës ka të ngjarë të rezultojnë në vlera shumë më të mëdha.


Në periudhën 2024–2025, Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 2 miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me qëllim frenimin e forcimit të vazhdueshëm të lekut në kursin e këmbimit.


80% e rezervës është e investuar në tituj borxhi

Ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk lidhet vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe me lëvizjet e çmimeve të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare. Në mesin e këtij viti, titujt e borxhit përbënin 80% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 12%. Pjesa e mbetur është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).


Në veçanti, vitin e kaluar rritja e çmimit të arit dha një ndikim pozitiv në vlerën e rezervës valutore. Në gjysmën e parë të këtij viti, çmimet e arit paraqiten në rënie, duke sjellë edhe uljen e vlerës së rezervave të arit në 412 milionë euro, ose 4.2% më pak krahasuar me fundin e vitit 2025. Megjithatë, rënia e vlerës së arit është kompensuar dhe tejkaluar nga blerjet e reja të valutës dhe rritja e vlerës së titujve financiarë ku është investuar rezerva valutore.


FMN rekomandon kujdes me rritjen e mëtejshme të rezervës

Rezerva valutore është një instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditjet e mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të euroizimit të sektorit financiar në vend.


Megjithatë, misioni i FMN-së për Shqipërinë, në deklaratën e fundit të vitit 2025, i rekomandonte Bankës së Shqipërisë një qasje më të kujdesshme në rritjen e mëtejshme të rezervës valutore. Sipas misionit të FMN-së, përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.


Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit arritën në 24.1 miliardë lekë, duke u rritur me 79% krahasuar me një vit më parë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat